
THIRRJE E HAPUR nga Fora Magazine ”REFLEKTIME MBI IDENTITETIN”
THIRRJE E HAPUR | Fora Magazine
Tema e publikimit të dytë: REFLEKTIME MBI IDENTITETIN.
Për publikimin e dytë, ftojmë artistë, shkrimtarë, arkitektë, filozofë, kritikë, dhe krijues të fushave të ndryshme nga Shqipëria dhe përtej, të kontribuojnë dhe të ndajnë mendimin e tyre mbi tema që lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me IDENTITETIN.
Identiteti nuk është një koncept i ngurtë, por një hapësirë reflektimi dhe transformimi të vazhdueshëm. Ne nuk kërkojmë një përkufizim apo një përgjigje të vetme, por qasje që e sfidojnë, e shtjellojnë dhe e ndriçojnë nga këndvështrime të ndryshme. Përmes artit, kritikës, fjalës së shkruar apo imazhit, identiteti mund të shfaqet si përvojë personale, si konstrukt kolektiv apo si një marrëdhënie e ndërlikuar me hapësirën dhe kohën.
Gjithashtu kjo thirrje mbetet e hapur jo vetëm për punime që lidhen drejtpërdrejt me temën, por edhe për krijime që eksplorojnë rrugë të tjera dhe na ftojnë të lexojmë realitetin përtej kufijve të zakonshëm të interpretimit.
Formatet e pranuara: artikuj të shkruar, ese, kritika, poezi, skica, fotografi, dhe mediume të tjera krijuese.
Kërkesat:
Punimet e shkruara nuk duhet të kalojnë 5 faqe A4 së bashku me imazhet.
Projektet vizuale duhet të jenë imazhe me rezolucion të lartë dhe duhet të përfshijnë edhe një abstrakt, apo koncept të punimit jo më shumë se 500 karaktere dhe një biografi të shkurtër të autorit. (50-100 fjalë)
Punimet e përzgjedhura do të shfaqen në numrin e dytë të revistës (të printuar) dhe në platformat tona online.
Afati i fundit për dorëzim: 30 Mars
Si të aplikoni:
Për të dërguar kontributin tuaj ose për më shumë informacion, na kontaktoni në adresën e emailit: publication.fora@gmail.com
Materialet e shkruara mund të dorëzohen në dy gjuhë: shqip dhe anglisht.
Ju urojmë shumë suksese!
